Policia e Himarës u ka ardhur në ndihmë dy turistëve spanjollë, të cilët humbën për 3 orë në Kanionin e Gjipesë.
Turistët spanjollë humbën rrugën pasi ra nata, teksa ishin duke eksploruar territorin.
Shpëtimi i tyre u bën i mundur pas 3 orë kërkimesh intensive dhe shërbimet e policisë i kanë gjetur në pjesën veriore të këtij kanioni, në kufi me fshatin Vuno.
“Rreth orës 18:20, në Kanionin e Gjipesë, Himarë, një çift spanjollësh duke eksploruar territorin, për shkak se po afronte nata kanë humbur rrugën duke e bërë të pamundur daljen e tyre nga kanioni.
Forcat e Policisë së Himarës dhe ajo Kufitare, për shkak të terrenit të vështirë kanë kërkuar në rrugë tokësore me këmbë, por edhe nëpërmjet territorit ujor me mjetet lundruese me qëllim gjetjen e tyre”,- njoftoi policia.
Dy turistët 34 vjeç dhe 26 vjeçe janë në gjendje të mirë shëndetërore dhe fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë dëmtim.
Policia po i shoqëron turistët drejt automjetit të tyre në rrugën nacionale Vlorë – Himarë.