Petro Gjikuria ka reagua pasi humbi në garën për bashkinë e Himarës në zgjedhjet e mbajtura këtë të diel, në të cilat u shpall fitues kandidati i mazhorancës, Vangjel Tavo.
Sipas kandidatit të opozitës, në zgjedhjet e së dielës u përdorën metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Gjikuria ngre akuza se rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kandidatit të mazhorancës.
“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë. Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”, mbyllet reagimi i Gjikurisë.
Vangjel Tavo korri një fitore bindëse përballë Petro Gjikurisë me një avantazh prej rreth 1500 votash.