Kryeministri Edi Rama ka vijuar nga Lezha turin e tij të falenderimeve pas rezultatit të 14 Majit.
Ai theksoi se braktisja që i bënë të djathtës simpatizantët e saj të ndershëm është shërbim i madh për Shqipërinë dhe vetë të djathtën.
Rama tha se duke i shkuar nga mbrapa atyre që mbajnë flamurin e së djathtës thjesht shtyjnë agoninë. Por duke i braktisur ndihmojnë edhe rilindjen e së djathtës. E për këtë të fundit tha se nuk është detyrë e socialistëve ta bëjnë. Këta të fundit sipas tij kanë për detyrë të vazhdojnë të bëjnë rilindjen e Shqipërisë.
“Braktisja që i ka ndodhur atyre të tjerëve nga të djathtët e ndershëm, nga ata që e vuajnë sinqerisht çështjen e së djathtës dhe që ne nuk na njohin me sy është shërbim i madh për Shqipërinë dhe vetë të djathtën. Duke i shkuar mbrapa deri në humnerë atyre që e mbajnë flamurin e së djathtës dhe që nuk duhet ta mbajnë atë flamur thjesht shtyhet agonia. Duke i braktisur ndihmohet edhe rilindja e së djathtës. Por rilindjen e së djathtës nuk e kemi ne për detyrë ta bëjmë, të kuptohemi. Ne kemi për detyrë të vazhdojmë të bëjmë rilindjen e Shqipërisë”, tha Rama.
Kryesocialisti sheh si sfidë më vete edhe rezultatin që pasqyrohet në hartën e Shqipërisë ku 53 bashki u fituan nga PS dhe vetëm 7 nga opozita. Për Ramën kjo nuk duhet parë si triumf i socialistëve, por duhet parë si hartë kuqezi e cila është harmonike.
“Ajo që është sfida më e madhe për ne, më e madhja e gjithë kësaj historie është ajo harta e 14 Majit. Për herë të parë ajo hartë nuk është e ndarë më dysh. Si një trup i ndarë ku lexohet një ndasi shumë e madhe. Për herë të parë ajo hartë është harmonike. Nuk jam duke thënë që të bëhet Shqipëria e gjitha një parti, largqoftë, por jam duke thënë që është një sfidë shumë e madhe për të kundërtën. Nëse ne e lexojmë atë hartë si triumf të socialistëve mbi të tjerëve, po ju them që ne thjesht hyjmë në pyll pa sëpatë dhe dalim të humbur nga kjo mënyre e të parit të kësaj harte. Nëse e lexojmë si rezultat i një shkëputje shumë të rëndësishme të një pjese të së djathtës nga trungu i kalbur i së djathtës dhe nëse e marrim atë hartë si një sfidë jo për ta bërë qeverisjen tonë në nivel vendor mavi siç është harta për ta bërë kuqezi, atëherë ajo hartë do të jetë gjithmonë e më pak e ndarë dhe do të jetë gjithmonë e më shumë reflektim i votës me mend. Shumë njerëz në këto zgjedhje, më shumë se çdo herë tjetër kanë vepruar me mend”, u shpreh Rama