Me zgjatjen e masave kufizuese jopopullore, qeveria gjermane tregohet e gatshme të paguajë çmim politik për të mos rrezikuar jetën e njerëzve. Me këtë Gjermania dallohet nga shtete të tjera evropiane, shkruan Auron Dodi.
Qeveria gjermane vendosi t’i zgjasë sërish masat kufizuese të lirisë së qytetarëve për shkak të Covid-19. Mbyllja e fortë e jetës publike e nisur në 16 nëntor do të vazhdojë kështu deri në 7 mars. Deri në këtë datë do të ketë vetëm pak lehtësime: prej 22 shkurtit në disa lande do të hapen, për prani fizike, shkollat fillore dhe klasat e maturës, që tani e bëjnë mësimin online. Që prej 1 marsit do të lejohet të hapen parukeritë e berberanat.
Por për shumicën e të prekurve, për hotelerinë e gastronominë, aktivitetet kulturore e palestrat do të diskutohet për herë të parë vetëm në 3 mars, në takimin e ri të kancelares me kryeministrat rajonalë. Kriteret për hapjen madje u ashpërsuan: deri tani thuhej se hapja e tyre do të ndodhë kur të kemi jo më shumë se 50 infektime të reja për 100.000 banorë. Tani u vendos që hapja do të bëhet vetëm kur të ketë 35 infektime të reja për 100.000 banorë.
Masat aktuale kufizuese kanë pasur sukses. Incidenca shtatëditore të enjten (11.02.) ishte 64 infektime për 100.000 banorë. Një rënie e konsiderueshme që nga 16 dhjetori, kur nisi mbyllja e dytë e fortë e Gjermanisë dhe kur incidenca për 100.000 banorë ishte mbi 170 vetë. Por ulja e numrit të infektimeve ecën vetëm ngadalë.
Deri tani, pjesa më e madhe e gjermanëve i kanë duruar pa kundërshti të madhe masat kufizuese. Deri pak javë më parë, mbi gjysma e gjermanëve deklaronte në sondazhe se masat janë me vend, ndërsa për rreth 28 përqind të gjermanëve kishte vend për t’i ashpërsuar masat edhe më tej.
Klima në popull po ndryshon: shtohet pesimizmi
Por tani duket se klima në popull po ndryshon. Gjysma të pyeturve në mes të janarit 2021 druhet se pandemia nuk do të vihet dot nën kontroll. Durimi i qytetarëve për masat e qeverisë po i afrohet fundit. Këtë e sugjeron një sondazh i Institutit të njohur demoskopik Allensbach.
“Ka një rënie të dukshme të pranimit” për masat e qeverisë, konstatohet. Njerëzit gëzohen që shifrat e infektimeve po bien. Problemi është se kjo nuk pasqyrohet pozitivisht në jetën e tyre personale. 70 përqind e gjermanëve janë të shqetësuar për pasojat ekonomike të pandemisë. Për herë të parë janë shtuar shqetësimet për papunësinë, për rënien e të ardhurave dhe varfërinë në pleqëri. Mbi të gjitha mungon perspektiva. Familjet dhe sipërmarrjet e vogla e kanë të vështirë të bëjnë plane për kohën e ardhshme.
Kërkesës këmbëngulëse të njerëzve për një plan me shkallë të qeverisë për daljen nga situata, politikanët i përgjigjen me të njëjtën këmbëngulje se agresiviteti i varianteve të reja të virusit nuk të lejon të bësh parashikime të mëdha.
Në Gjermani janë të pranishme tani të gjitha variantet e njohura të virusit Covid-19: varianti britanik, ai afrikanojugor dhe ai brazilian. Mutacionet janë ende pak të përhapura, përbëjnë 5-6 përqind të rasteve, por rreziku mbetet. Për këtë Bavaria po shqyrton edhe mbylljen e kufijve, me Çekinë dhe Austrinë, ku variantet e virusit janë më të përhapura. Kancelarja Merkel tha se agresiviteti i këtyre varianteve “mund të shkatërrojë çdo sukses” të arritur nga mbyllja për muaj me radhë.
Kritikat ndaj qeverisë shtohen
Askund, as në Gjermani masat kufizuese nuk janë popullore dhe mjeti më legjitim ku njerëzit e shprehin pakënaqësinë është vota. Gjermania ndodhet para disa zgjedhjeve: zgjedhjeve rajonale në dy lande, në Baden-Württemberg dhe në Rheinland-Pfalz për katër javë dhe zgjedhjeve parlamentare kombëtare, për shtatë muaj e gjysëm. Dhe në prag të tyre, debati politik në Gjermani ka nisur të ashpërsohet dukshëm.
Qeveria deri tani e mbrojtur nga sulmet, po paraqitet fajtore për disa gjëra:
Për ritmet e vaksinimit. Gjermania paraqitet për vaksinimin më mirë se Franca apo shtete të tjera evropiane. Por kjo nuk e ndryshon faktin që këtu janë vaksinuar pak vetë: 2,99 përqind e popullatës apo 2 milionë e 490 mijë vetë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, gjysma e tyre edhe dozën e dytë. Krahasimet bëhen me SHBA, me Izraelin dhe me Britaninë e Madhe. Por fakt është që edhe Bideni e kritikoi këto ditë Trumpin se kishte porosituar pak vaksina. Edhe Izraeli, kampion në vaksinim, nuk e ka shmangur dot valën e tretë të pandemisë.
Vetë ministri i Financave të Gjermanisë, Olaf Scholz, njëkohësisht kandidat për kancelar i partisë socialdemokrate (SPD) pranoi se “duhet të kishim porositur më herët dhe më shumë vaksina, këtu nuk ka gjë për të zbukuruar”.
Për vonesën e ndihmave financiare. Ka mjaft ankesa, sidomos nga sipërmarrjet e vogla se nuk i kanë marrë ende ndihmat e premtuara që në nëntor nga shteti. Sipas Institutit demoskopik Allensbach, njerëzit shohin hendek midis deklaratave të qeverisë dhe realitetit p.sh. të sipërmarrësve të vegjël me profesion të lirë. Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier kërkoi për këtë temë një samit të posaçëm.
Qeveria gjermane merr përsipër çmimin politik
Qeveria gjermane e ka marrë përsipër deri tani çmimin e mundshëm politik për masat kufizuese. Përballë alternativës: ose humbje votash ose rrezikim i jetës së qytetarëve nga mbingarkimi i sistemit shëndetësor gjerman (që pastaj duhet të vendosë se cilët të infektuar do të jetë e mundur të kurohen e cilët jo), qeveria po tregohet e gatshme të rrezikojë mbështetjen politike.
Edhe tani, kancelarja Merkel deklaroi të enjten në Bundestag se nuk ka alternativë tjetër veç kufizimeve aktuale të lirisë, që të pengohet një valë e tretë e pandemisë. Ajo tha se për ta mbajtur në një nivel të menaxhueshëm numrin e infektimeve, nuk ka mjet më të butë se kufizimi konsekuent i kontakteve. Me një gjuhë të prerë Merkeli i quajti masat “të përshtatshme, të nevojshme dhe proporcionale”.
Deri tani mbështetja në sondazhe për qeverinë ka qëndruar stabile: rreth 37 përqind për CDU/CSU, 15 përqind për socialdemokratët pjesë e koalicionit qeveritar, dhe 18-19 përqind për Të Gjelbrit në opozitë. Ashpërsimi i klimës politike tani në prag të zgjedhjeve mund të sjellë zhvillime interesante në balancën e forcave./DW