Pas 25 ndeshjesh pa humbje, Argjentina regjistroi humbjen e parë në takimin e vlefshëm për kualifikueset e Botërorit 2026.
Albicelestet u mposhtën në shtëpi nga Uruguai me rezultat 0:2. Një ndeshje me ritëm shumë e luftuar ku nuk munguan dhe tensionet.
Në minutën e 20 pas një faulli të dhënë, Rodrigo de Paul ofendoi Cristian Olivera, ndërsa ky i fundit nuk i kurseu nervat. Jo vetëm ata, por edhe Messi i cili hyri për të ndarë dyshen, u pa i tensionuar ndërsa i vë dhe duart në fyt kundërshtarit.
Me rifillimin e lojës vendasit ishin më kërkues. Pas shumë tentativash Araujo kaloi miqtë më avantazh pak para fundit të pjesës së parë.
Edhe fraksioni i dytë kishte po të njëjtin histori. Në minutën e 87-të, Darwin Nunez la dhe firmën e tij dhe hipotekoi kështu fitoren.
Pavarësisht disfatës, Argjentina e Messit mbetet në krye të klasifikimit me 12 pikë, dy më shumë se Uruguai i vendit të dytë.
Në lidhje me përplasjet e forta në fushë, kapiteni i Argjentinës nuk i kurseu shigjetimet për futbollistët kundërshtarë.
“Më mirë nuk po e them atë që mendoj, po lojtarët e rinj duhet të mësojnë dhe të rriten. Uruguai ka një grup të mirë lojtarësh, por ata duhet të mësojnë nga ‘veteranët’ se çfarë është respekti”, tha Messi..
Brazili u përmbys nga Kolumbia në një ndeshje të çmendur. Selecao shënoi që në fillim me Martinellin, por festa zgjati vetëm në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë, kolumbianët rritën presionin dhe brenda 4 minutash përmbysën gjithçka.
Protagonisti absolut i ndeshjes ishte Luis Diaz që me dy golat e tij i dhuroi fitoren skuadrës. Pas këtij suksesi Kolumbia është në vendin e tretë me 9 pikë, 2 më shumë se Brazili i vendit të pestë.