Në Shqipëri afër 270 të dënuar, të dyshuar apo të shpallur fajtorë si pjesëtarë të grupeve kriminale, pritet t’i nënshtrohen së shpejti një regjimi special që do t’i mbajë ata të izoluar duke shmangur mundësinë e komunikimeve me jashtë.
Masat speciale të cilat hyjnë zyrtarisht në fuqi nesër, ishin pjesë e diskutimeve në një konferencë të posaçme të organizuar nga ministria e Drejtësisë me Prokurorinë Antimafia të Italisë, e cila do të ofrojë ndihmë për zbatimin e tyre.
Regjimi special, i përfshirë në ndryshimet e Kodit Penal, është bazuar pikërisht në modelin italian dhe parashikon që të dënuarit të mbahen në izolim dhe nën mbikqyrje të posaçme për një periudhë të caktuar kohe.
Drejtuesi i antimafias italiane Federico Cafiero de Raho, shpjegoi se një masë e tillë “çon në dobësimin e organizatave kriminale, ndërsa shërben dhe si sinjal ndryshimi për qytetarët, për t’u dhënë dhe atyre më shumë besim te institucionet”.
De Raho theksoi se “ndalimi i kontaktet të krerëve të organizatave kriminale me njerëzit e tyre jashtë burgut dhe ndjekja e gjurmëve të parave, janë formula më efikase për të luftuar kriminalitetin. Që të dyja këto masa janë thelbësore për Shqipërinë”, tha ai, ndërsa shpjegoi se grupet shqiptare janë specializuar në trafikun e drogës, duke siguruar sasi të mëdha parash që sipas të gjitha studimeve theksoi ai, riinvestohen kryesisht në vendet e origjinës.
Por çfarë është regjimi “41-bis”?
Për herë të parë të parë në Itali termi “41-biss” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.
Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.
Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.
Në Itali kjo platformë ligjore aplikohet në 23 institucione të vuajtjes së dënimit në të gjithë territorin italian. Por burgjet shqiptare nuk kanë kushte për të plotësuar standardet e ‘41 biss’, dhe autoritetet janë përpjekur të përshtasin këtë lloj regjimi me atë që parashikon ligji shqiptar. Ky ligj u miratua me 76 vota në seancën parlamentare të 21 dhjetorit 2018 dhe pritet të hyje në fuqi këtë të mërkurë.