SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.255, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit”.
Nga aktet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Muhamet Manollari është djali i shtetasit Mehdi Manollari. Ky i fundit, në datën 05.05.2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”.
Mehdi Manollari është listuar në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.
Në datën 19.11.2018, i pandehuri Muhamet Manollari, ka shumën e parave prej 864 Euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste “ISIS” (besohet të ketë vdekur në vitin 2019).
Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari, nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtpërdrejtë Mehdi Manollarit, por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S.