Gjykata e Posaçme shtyu sërish për datën 18 janar seancën gjyqësore ndaj Rezart Taçit, biznesmenit të akuzuar nga SPAK për përfshirje në tentativën e pastrimit të 18.3 mln euro të mafias italiane.
Procesi ndaj biznesmenit ishte pezulluar për një vit për shkak se ai nuk është gjetur për t’u arrestuar, në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij.
Seanca e kësaj të hënë u shty me kërkesë të avokates së Taçit e cila tha se do ti paraqesë me shkrim parashtrimet e kërkesave për papërdorshmëri dhe pavlefshmëri të provave.
Avokatja Ilenja Mëhilli kërkoi pushimin e çështjes duke u bazuar edhe në kërkesën e prokurorit që ka veçuar çështjen për italianët dhe i ka dërguar në Itali.
Mëhilli tha se është mbajtur standard i dyfishtë për Rezart Taçin, pasi nuk mund të procedohen dy herë për të njëjtin fakt penal.
Përkatësisht procesi është veçuar për shtetasit Frencesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, për të cilët po vijon procesi në Itali.
Gjithashtu sipas avokatëve edhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi po gjykohet atje. Në këtë proces Taçi akuzohet për “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal”.