Interpol Tirana ka finalizuar ekstradimin në Shqipëri të një 34-vjeçari të akuzuar për vrasjen e ish-agjentit të anti-drogës në Elbasan, Roland Rexhepi, ngjarje e ndodhur në vitin 2009.
I ekstraduari është Donald Hoxha 34 vjeç, ndaj të cilit ka masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Elbasanit më datë 21 Janar 2024.
Ai akuzohet për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Donald Hoxha akuzohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë vranë Roland Rexhepin në vitin 2009, të njohur si “Doda”.
Donald Hoxha u arrestua në fillim të këtij viti në Londër gjatë operacionit të koduar “Capital”.
Roland Rexhepi ka qenë agjent i antidrogës dhe shofer i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni, në atë kohë.
Dy vite më vonë atij iu vra vëllai, Ilir Rexhepi.
Roland Rexhepi është kunati i motrës së Dritan Shemes, 32-vjeçarit që u vra më 19 tetor të 2006-ës në lagjen ‘Don Bosko’ në Tiranë.
Rexhepi u dyshua se kishte tentuar që të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjes dhe kishte ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani. Kujtojmë që kjo ngjarje ka ndodhur më 26 Dhjetor të vitit 2005.
Po ashtu, “Doda” dyshohej se ishte informator i kapjes së armëve në Fier në gusht të vitit 2006.
Për vrasjen e Roland Rexhepit janë dënuar Marjus Tafa dhe Armando Llakaj. Në gjykim për të njëjtën çështje është edhe Florind Shabani.
EKSTRADIME TË TJERA DREJT SHQIPËRISË DHE ITALISË E KOSOVËS:
Nga Greqia u ekstradua në Shqipëri Leodin Rungo, 44 vjeç. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e datës 15.02.2019, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga Shqipëria në Itali u ekstraduan Bledar Dushkaj alias Bledar Delia, 39 vjeç. Gjykata e Apelit e Milanos, me vendimin e datës 06.06.2011, e ka dënuar me 7 vjet burgim për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Ky shtetas ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka trafikuar drogë nga Holanda në Itali, gjatë periudhës nëntor 2007-shtator 2008;
Kristjan Uldedaj 31 vjeç, të cilit Gjykata e Hetimeve Paraprake në Milano, Itali, me vendimin e datës 03.11.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Ky shtetas, gjatë periudhës 2015-2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka trafikuar në Itali, 35 kg kokainë dhe 3.4 tonë hashash.
Ndërsa drejt Kosovës u ekstraduan Riad Sopjani 23 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga ILECU, Kosovë, për armëmbajtje pa leje dhe grabitje, si dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky shtetas është arrestuar në Durrës, në muajin nëntor 2021, gjatë opracionit policor të koduar “Arratia”; si dhe Bastri Sadiu 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga ILECU, pasi më datë 16.08.2022, ka vjedhur automjetin e një institucioni shtetëror në Prishtinë dhe ka tentuar ta trafikojë në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Qafë Morinë.