Aktualitet I akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, arrestohet në Fushë-Krujë i shumëkërkuari...

I akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, arrestohet në Fushë-Krujë i shumëkërkuari Elmir Tufa

Është arrestuar në Fushë-Krujë i shumëkërkuari nga policia, Elmir Tufa. Tufa është vënë në pranga nga Operacionalja e Tiranës.

31-vjeçari është një nga 4 të akuzuarit për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt të 2021-it në qytetin e Fierit. Tufa akuzohet nga Prokuroria e Fierit që sëbashku me Albert Zaja, Elson Xhecuka dhe Roland Carën kanë planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e Shkëlzen Kastratit.

Si u ekzekutua Shkëlzen Kastrati?

Ishte ora 10 e 30 e mëngjesit të së hënës më 1 Shkurt të 2021-it kur Shkëlzen Kastrati u ekzekutua nga persona të panjohur në makinën e tij pranë fshatit Sheq të Fierit, në një atentat të mirëmenduar. Autorët duket se e kanë mbajtur nën vëzhgim 41-vjeçarin, pasi sapo viktima është futur në kthesë, ka ulur shpejtësinë e makinës tip “Benz”.

Në këtë moment nga një makinë tjetër tip “Range Rover” është qëlluar nga një armë Skorpion me sileciator me 2 plumba, të cilët njëri e ka kapur në kokë dhe tjetri në krah. Kastrati ka humbur jetën në vend.

Makina e tij ka lëvizur edhe për disa metra dhe është ndalur kur ka goditur një tjetër automjet që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Trupi i viktimës ka qëndruar për gati një orë në automjet derisa ekspertiza ka marrë të gjitha të dhënat.

Pak minuta pas krimit të rëndë policia ka gjetur të djegur mjetin tip Range Rover pranë mbikalimit të Baltzës në fshatin Mbrostar të Fierit. Brenda në mjet është gjetur edhe një armë automatike me të cilën dyshohet se është qëlluar viktima. Shkëlzen Kastrati është vëllai i Klemend Kastrati, i cili më 8 Janar 2016 mbeti i plagosur në një atentat ku humbi jetën Denis Kasa dhe u plagos Elton Margariti. Ngjarja ndodhi në dalje të autostradës Lushnje-Fier. Objektiv i atentatit ishte Kelmend Kastrati, i cili mundi t’u shpëtojë plumbave.