Aktualitet I arrestuar në SHBA, sekuestrohen në Shqipëri prona me vlerë 1.2 milionë...

I arrestuar në SHBA, sekuestrohen në Shqipëri prona me vlerë 1.2 milionë Dollarë të Ylli Didanit

Prona me vlerë miliona Dollarë janë sekuestruar në Tiranë gjatë një operacioni të koduar “Dërgesa” për goditjen e trafiqeve të paligjshme. Konkretisht, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive ndaj disa pronave me vlerë 1.2 milionë Dollarë.

Këto pasuri i përkasin 44-vjeçarit Ylli Didani, i cili aktualisht është i arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga autoritetet e DEA-s. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge nga vendet e Amerikës Latine drejt SHBA dhe Europës.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për sekuestron preventive ndaj pronave të tij është dhënë më datë 26 Prill.

Policia e Tiranës njofton se ndër pronat e sekuestruara janë një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion Dollarë, një shoqëri sh.p.k dhe një llogari bankare me vlerë rreth 206.000 Dollarë.

Hetimet për këtë rast vijojnë ende për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Kjo është hera e dytë që Ylli Didanit i sekuestrohen pasuri nga autoritetet shqiptare. Në vitin 2017 atij i janë sekuestruar nga Policia e Tiranës 460 mijë Dollarë. Didani, më herët ka qenë i arrestuar në Tiranë për kundërshtim të efektivëve blu, sipas një njoftimi zyrtar të policisë së datës 14 Prill 2015.

Ylli Didani është vënë në pranga nga autoritetet amerikane më 31 Mars të këtij. Autoritetet amerikane thonë se në vitet 2019 dhe 2020 kanë sekuestruar më shumë se 3.4 ton kokainë që janë trafikuar nga organizata kriminale në të cilën bënin pjesë Ylli Didani dhe disa persona të tjerë.