Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia.
“Pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, për vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë e mundur kapja në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Besnik Lamçja, 40 vjeç.
Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në datën 27 qershor 2000, në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra”, Besnik Lamçja, në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. U.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton Interpol Tirana.