Është ekstraduar sot nga Britania e Madhe, 52-vjeçari shqiptar i dënuar me 25 vjet burgim, për vrasje të dyfishtë.
Artan Muça i lindur në Elbasan ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, në vitin 2001, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Më 01.06.1997, në një subjekt privat (bilardo), në fshatin Kusarth, Elbasan, vrau me armë zjarri kallashnikov shtetasit S. Gj. (pronari i bilardos) dhe B. M.
Shtetasi Artan Muça është kapur në Britani të Madhe, në vitin 2021, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit.
Pas shkëmbimit të një sërë korrespondencash dhe pas këmbënguljes së autoriteteve shqiptare, është finalizuar ekstradimi i shtetasit Artan Muça, në vendin tonë.