Policia ka arrestuar 29-vjeçarin Armando Behari, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Në vitin 2022, 29-vjeçari kishte përshtatur një qendër tatuazhesh në zonën e Komunës së Parisit, për përdorimin dhe shitjen e lëndës narkotike kokainë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”. Në kuadër të këtij operacioni, nga Seksioni i Kërkimit, i DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor i koduar “Center”. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas në kërkim, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Center”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Ali Demi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi në kërkim Armando Behari, 29 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për vepra penale në fushën e narkotikëve. Në vitin 2022, 29-vjeçari ka përshtatur një qendër tatuazhesh në zonën e Komunës së Parisit, për përdorimin dhe shitjen e lëndës narkotike kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.