Policia ka arrestuar një 52-vjeçar në Krujë pasi ai rezulton i dënuar me 8 vite burg për kultivim narkotikësh. Sipas bluve, ai ishte fshehur në një dhomë të nëndheshme brenda banesës së tij.
“Kishte përshtatur një vend të fshehtë, në banesën e tij, për t’u strehuar, ndërkohë që ishte në kërkim nga Policia, kapet dhe vihet në pranga 52-vjeçari. 52-vjeçari i dënuar me 8 vjet burgim për kultivim bimësh narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të operacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të marra se në Nikël, një shtetas i kërkuar nga Policia, strehohej në një ambient të cilin e kishte impovizuar për t’u fshehur, në banesën e tij, menjëherë kanë organizuar punën, dhe kanë ushtruar kontroll në adresën e dhënë. Si rezultat u kap dhe vu në pranga shtetasi Ilir Krojë, 52 vjeç, banues në Nikël.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë, kanë konstatuar poshtë mobiljeve të kuzhinës, një derë me shkallë zbritëse në një dhomë të nëndheshme, të cilën 52-vjeçari i ndaluar, e përdorte për t’u fshehur nga policia. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 8 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi në vitin 2020 ka 200 kultivuar bimë në Njësinë Administrative Nikël. Operacioni “Sundimi i ligjit” vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.