Është prangosur në Lushnje 53-vjeçari shqiptar Barjam Mehaj i dënuar me 5 vjet e 10 muaj burg në Itali.
Mësohet se i arrestuari ka marrë dënim nga autoritetet gjyqësore italiane për përdhunim.
Pritet që Mehaj të ekstradohet në Itali.
“I dënuar nga autoritetet gjyqësore të Italisë, me mbi 5 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë, kapet në Lushnjë dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, shërbimet e njësisë së specializuar FAST Albania, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bënë të mundur kapjen në fshatin Tërbuf, Lushnjë, si dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin, e shtetasit Barjam Mehaj, 53 vjeç. 53-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Novarës, Itali, e ka dënuar me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me partnerët italianë, për ekstradimin e shtetasit B. M., në Itali”, njofton policia.