Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Elton Arkaxhiut, një shqiptari të dënuar në Francë për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’ dhe ‘Pastrim të produkteve të veprës penale’.
Sipas organit të akuzës, Arkaxhiu ka në pronësi Bar- kafe “Rio”, që ndodhet në rrugën “Besim Imami”, në afërsi të karburant “Alpet” në rrugën “Myslym Shyri”. Ky biznes me sipërfaqe totale 108 m² është blerë prej tij në datë 21.10.2005. Po ashtu ai zotëron një ambient biznesi po në rrugën “Besim Imami”, në rrugën “Myslym Shyri”, që aktualisht përdoret si Qendër SPA.
Prokuroria duke ju referuar informacioneve të siguruara në rrugë operative ka identifikuar këto pasuri të paluajtshme dhe ka arritur në përfundimin se blerja e tyre nuk justifikohet me të ardhurat e Arkaxhiut dhe të familjarëve të tij deri në vitin 2020, dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e tij në Francë.
NJOFTIMI:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon sekuestrimin e pasurisë së shtetasit E.A., bazuar në ligjin për ‘Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’. Në kuadër procedimit pasuror nr.3, datë 23.12.2024, nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasi E.A., ka qenë i dënuar në Francë për veprën penale të ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’, ndërkohë që në vitin 2011 rezulton i proceduar penalisht për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Zyra e Interpolit ka konfirmuar se shtetasi E.A., nga verifikimet e kryera nga Interpol Francë, rezulton se në atë periudhë ka qenë subjekt i procedurave të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me subjekt kryesisht të trafikut ndërkombëtar të drogës, përdorimit te produkteve narkotike, importimit të mallrave kontrabandë dhe mallrave që paraqesin rrezik për jetën, etj.
Prokuroria nga hetimi arriti në përfundim se ka mospërputhshmëri të burimit të financimit (të ardhurave + huamarrje) me pasuritë e dokumentuara.
Në bazë të neneve 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
1 – Pasuri e llojit truall, me sip.71.52m2 dhe ndërtesë 37.52m2 në Tiranë;
2 – Pasurinë njësi shërbimi 108m2 me vendndodhje Rr. Besim Imami; dhe
3 – Pasurinë njësi shërbimi 63m2 në Rr. Besim Imami.