Një 34-vjeçar është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi ishte i dënuar në Shqipëri për “vjedhje me pasojë vdekjen”.
Arlind Hyseni, i cili sipas Policisë përdorte edhe emrin Shpend Mazari, 34 vjeç, lindur në Pukë, ishte futur në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.
Në vitin 2005, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e kishte dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
“Më datë 12.07.2004, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë, shtetasi Arlind Hyseni, në bashkëpunim me shtetasin F. M. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e shtetasit M. S. Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin G. S. dhe plagosur rëndë shtetasit M. S. dhe H. S.”, thuhet në njoftimin e Policisë.