Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për procedurat gjyqësore të ndjekura ndaj Hekuran Billës, 40-vjeçari nga Kukësi që mbeti i vrarë në një atentat mbrëmjen e së enjtes në Komunën e Parisit në Tiranë.
Billa ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm në Angli për vrasjen e një shqiptari që ka kryer në vitin 2008 në Londër.
Pavarësisht këtij dënimi nga autoritetet angleze, gjykatat në Shqipëri i kanë konvertuar dënimin duke i ulur disa vite.
Pikërisht për këtë fakt, ILD njofton se ka nisur verifikimi për shqyrtimin e këtij rasti si janë ndjekur procedurat gjyqësore.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndjekur informacionet publike lidhur me vrasjen mbrëmjen e kaluar të shtetasit H.B., në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë dhe të dhënat se ndaj këtij shtetasi ishte dhënë një dënim me burgim të përjetshëm. Duke marrë shkas nga faktet e bëra publike në media ditën e sotme, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka nisur verifikimin e këtyre fakteve dhe të rastit”, thuhet në njoftimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Hekuran Billa u ekzekutua me breshëri arme brenda makinës së tij “BMW X5”, ndërsa atentatorët e paidentifikuar u larguan me shpejtësi në drejtim të paditur. Hetimet e policisë janë fokusuar në pistat e hakmarrjes dhe të prishjes së pazareve.