Policia e Tiranës ka vënë në pranga Eduart Kurtin, 48 vjeç. Siç njofton policia, bëhet fjalë për një person të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
48-vjeçari Kurti u vu në pranga në zonën e ish-Fushës së Aviacionit. Kurti ishte shpallur në kërkim nga Gjykata pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje në vitin 2012.
Ai vrau me armë zjarri dy vëllezërit Iglent dhe Sokol Haxhialiu, përkatësisht 44 dhe 41 vjeç.
Si ndodhi vrasja
Iglent dhe Sokol Haxhialiu ishin nisur drejt Beratit mbrëmjen kur ndodhi ngjarja tragjike. Atyre ua ka prerë rrugën Eduart Kapri, i cili ka hipur në makinë bashkë me ta. Makina drejtohej nga Sokoli, vëllai i vogël, ndërsa i madhi i liroi sediljen e parë Eduart Kurtit duke kaluar vetë në pjesën e pasme të makinës.
Nga zona e ish-Bllokut e deri në afërsi të rrugës “Irfan Tomini” tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re vëllezërit kanë debatuar me Kurtin në lidhje me një borxh që i detyroheshin. Në debat e sipër, Kurti ka qëlluar një herë në kokë Iglentin që ndodhej pas dhe më pas dy herë, në kokë e qafë, Sokolin që po drejtonte makinën.
Pas kësaj ai u largua nga vendngjarja me një makinë i ndihmuar edhe nga një person tjetër. Sokol Haxhialiu u dërgua në Spitalin Ushtarak ku kaloi në vdekje klinike e më pas ndërroi jetë.
Njoftimi i policisë:
“Falë inteligjencës policore, strukturat e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
I shumëkërkuari nga Policia e Tiranës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në rrethana të tjera cilësuese.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia e Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “End”.
Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Eduart Kurti, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese, pasi në vitin 2012, në Tiranë, 48-vjeçari, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezërit, shtetasit I. H., 44 vjeç, dhe S. H., 41 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.