Aktualitet I dënuar përjetë për vrasjen e komisarit Lamaj, Gjykata e Strasburgut vendos...

I dënuar përjetë për vrasjen e komisarit Lamaj, Gjykata e Strasburgut vendos pro Arben Frrokut: Duhet të rigjykohet

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur në favor të Arben Frrokut, i dënuar përjetë nga ish-Apeli i Krimeve të Rënda për vrasjen e komisariatit Dritan Lamaj.

Strasburgu ka se procesi ndaj tij ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe, si i tillë, ai duhet të rigjykohet, të paktën nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Arben Frroku i dënuar përjetë nga Apeli i Krimeve të Rënda për vrasjen e komisarit Lamaj, ndodhet në burg në Holandë, shtet i cili ka refuzuar ekstradimin e tij.

Vendimi i Strasburgut detyron shtetin shqiptar të rihapë çështjen, duke i dhënë Frrokut mundësinë për një shqyrtim të ri.

Strasburgu ka vlerësuar se është shkelur neni 6, pika 1 e Konventës së të Drejtave të Njeriut, në lidhje me të drejtën e ankuesit për një vendim të arsyetuar nga Gjykata Kushtetuese.

Po në mënyrë unanime, Strasburgu ka rrëzuar kërkesën e Frrokut për dëmshpërblim 50 mijë euro dhe kompensim shpenzimesh 10 mijë euro.

Kërkuesi kërkoi 50,000 euro (EUR) për dëme jo pasurore dhe 10,000 euro për shpenzime dhe kostot e procedurave para Gjykatës Kushtetuese dhe para Gjykatës. Qeveria e konsideroi kërkesën për këto shuma të pabazuar dhe të tepërta, dhe gjithashtu deklaroi se kërkuesi nuk kishte paraqitur fatura për të mbështetur shpenzimet e tij.

Gjykata rithekson se një vendim në të cilin ajo konstaton një shkelje të Konventës i imponon shtetit përgjegjës një detyrim ligjor për të ndaluar shkeljen dhe për të kompensuar pasojat e saj. Duke marrë parasysh natyrën e ankesave të kërkuesit dhe shkeljen e konstatuar, Gjykata konsideron se forma më e përshtatshme e riparimit për shkeljet e gjetura do të ishte rinisja e procedurave para Gjykatës Kushtetuese, nëse kërkuesi do të kërkonte një gjë të tillë, pasi kjo mund të sigurojë riparimin e plotë (restitutio in integrum) siç kërkohet nga Neni 41 i Konventës. Në këtë lidhje, Gjykata vëren se Seksioni 71(c) i Ligjit të Gjykatës Kushtetuese parashikon se procedurat para Gjykatës Kushtetuese mund të rinisen nëse një gjykatë ndërkombëtare me juridiksion të detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë konstaton se të drejtat ose liritë themelore të një individi janë shkelur “për shkak të një vendimi të [mëparshëm] të Gjykatës Kushtetuese”. Duke qenë kështu, konstataimi i shkeljes përbën një kompensim të mjaftueshëm për kërkuesin në këtë rast.

Sa i përket shpenzimeve dhe kostove për procedurat para Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës, kërkuesi nuk ka mbështetur kërkesën e tij me ndonjë dokument të nevojshëm. Gjykata prandaj e hedh poshtë këtë kërkesë“, thuhet në vendim.

Gjykata e Strasburgut vendosi në mënyrë unanime:

1.Deklaron të pranueshme ankesën sipas nenit neni 6, pika 1 e Konventës në lidhje me të drejtën për një vendim të arsyetuar nga Gjykata Kushtetuese dhe të papranueshme ankesën sipas nenit neni 6, pika 1 e Konventës në lidhje me aksesin në Gjykatën Kushtetuese.

2.Konstaton se ka ndodhur një shkelje e neni 6, pika 1 e Konventës lidhur me të drejtën e kërkuesit për një vendim të arsyetuar nga Gjykata Kushtetuese.

3.Konstaton se gjetja e shkeljes përbën kompensim të mjaftueshëm për dëmet jo pasurore që kërkuesi ka pësuar.

4.Konstaton se nuk ka nevojë të shqyrtohen pranueshmëria dhe meritat e ankesave të mbetura.

5.Heq dorë nga shqyrtimi i kërkesës për kompensim.

Dënimi i Arben Frrokut nga drejtësia shqiptare?

Arben Frroku mori fillimisht pafajësi për vrasjen e Dritan Lamaj në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Por teksa vendimi u apelua nga prokuroria, Arben Frroku u largua nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi.

Apeli i Krimeve të Rënda e dënoi Arben Frrokut me burgim të përjetshëm duke e ribërë sërish njeriun më të kërkuar për vrasjen e kryepolicit. Prej atij momenti Arben Frroku qëndroi jashtë vendit deri sa u arrestua në Holandë me dokumente false greke

Rekursi i Arben Frrokut në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese nuk u pranua duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë.

Kërkesa për ekstradim drejtuar Holandës nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, u refuzua.

Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit, Mark Frroku, i liruar nga burgu në maj të vitit 2018 i dënuar për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Mark Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje.