Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra 4 punonjës policie në Durrës. Bëhet fjalë për inspektorët B. V., K. D. dhe O. Sh., të tre oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës si dhe inspektorin, S. K., trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Manzë.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit thotë se “4 punonjësit e Policisë janë pezulluar nga detyrat, pasi kanë qenë me shërbim, kur është larguar nga banesa e tij në fshatin Gjuricaj, Afrim Kila, për të cilin Gjykata e Apelit Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Ndërkohë, AMP-ja ka iniciuar hetim penal për këtë rast dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin ligjor të përgjegjësive.
Kila u largua nga shtëpia në momentin që u njoftua se gjykata e kishte dënuar përfundimisht me 16 vjet burg.
39-vjeçari Afrim Kila në vitin 2020, në ambientet e një lokali në Ishëm, goditi me mjete të forta dhe më pas në rrugë me automjet, shtetasin D. (P). K., i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital.