Egla Harxhi ishte e ftuar këtë pasdite në programin “Rudina” në Tv Klan. Në studio, Harxhi dha më tepër detaje për jetën e saj personale, ndarjen nga partneri, por edhe për profesionin e saj, arkitekturën.
Ish-Miss Shqipëria në vitin 2007, është komentuar gjatë në media për marrëdhënien e saj të pazakontë. Në prill të vitit 2016, Harxhi takoi partnerin e saj të jetës, fotografin Jarl Alexandre de Basseville.
Pjesë e marrëdhënies së tyre ishte dhe një tjetër vajzë, modelja shqiptare Alesia dhe Harxhi deklaroi se ata kishin një lidhje treshe. Ky fakt u komentua gjerësisht në media. Në këtë kohë, ajo njoftoi dhe shtatzëninë e saj, ku tha se fëmijën do ta rriste në një marrëdhënie të tillë.
Por, gjithçka duket se ndryshoi me ardhjen në jetë të djalit të saj, Luxifer. Marrëdhënia treshe u prish me largimin e Alesias. Në Tetor të 2019-s, Egla Harxhi deklaroi se marrëdhënia e saj me fotografin Jarl Alexandre de Basseville përfundoi, po ashtu edhe projektet që të dy flisnin të realizonin për Shqipërinë.
Në studio, ajo rrëfeu se nuk është më me partnerin e saj Alexandre, por ruajnë një respekt reciprok.
“E vërteta është që nuk jemi më bashkë, por sigurisht ka një respekt reciprok. Jemi të rritur, të civilizuar, të edukuar dhe mbi të gjitha fakti që kemi një fëmijë, fëmija është mbi të gjitha. Në mënyrë absolute unë nuk do isha kurrsesi një person që, sepse balancat për hir të fëmijës duhen ruajtur. Ndodh siç ndodhin gjërat në përgjithësi, ndodh që rrugët ndahen, por nuk ka ndonjë gjë shtesë për të thënë se kaq është”.
Harxhi u shpreh se do t’i përkushtohet rritjes së djalit e vetme, pa partnerin e saj, si dhe profesionit të saj, arkitekturës.
“Gjërat ndryshojnë, prioritet janë ato që ndryshojnë dhe i japin formën e vetë gjërave. Sot unë jam në këtë pozicion që dua të çoj përpara pasionin tim dhe përkushtimin ndaj djalit”.