Ajo ishte vetëm 5 vjeçe dhe nuk e dinte se ku e kishte sjellë jeta. Krejt çfarë ajo dinte ishte se e kishte ditëlindjen. Mevan Babakar, e cila në vitin 1994 ishte refugjate nga Iraku në një kamp në Holandë, mori dhuratën më të bukur për të me rastin e ditëlindjes.
Ky gëzim u dokumentua në një fotografi, të cilën Mevan nuk e mbajti vetëm në albumin familjar, por e kërkoi ndihmën në Twitter për ta gjetur dhuruesin e biçikletës.
Pasi postoi fotografinë së bashku me donatorin e këtij gëzimi, Twitter-i u angazhua sikur të ishte njësi policore.
Holandezi u gjet, dhe ishte gati për të takuar tashmë 29-vjeçaren që dikur e kishte lumturuar fort.
Mevan që tani punon në Londër në një organizatë për kontrollimin e vërtetësisë së informacionit, shkoi në Gjermani, ku burri jetonte, dhe u takua me të për një bisedë të përzemërt.
Mevan shkroi në Twitter se kur e mori biçikletën, zemra po i dilte nga vendi. Ndërkohë, pasi u takua me burrin holandez, tha se ndjehej sikur ishte kthyer në kohë.