Një i plagosur me armë zjarri e tjetri me thikë, janë pasojat e një ngjarjeje të ndodhur mesditën e kësaj të enjteje në Vorë.
Protagonistë janë dy vëllezër, njëri prej të cilëve oficer ushtrie dhe një 34-vjeçar. Policia sqaroi se gjithçka ndodhi teksa dy vëllezërit Kidi Muzhaqi dhe Ermal Muzhaqi (24 dhe 27 vjeç) ndodheshin në makinë dhe 34-vjeçari Ergest Hoxha për arsye momentalisht të paqarta, plagosi me thikë në krah 24-vjeçarin Kidi Muzhaqi.
Kjo solli reagimin e vëllait të tij të madh, oficerit Ermal Muzhaqi, i cili nxori armën e shërbimit, duke e lënë të plagosur 34-vjeçarin Hoxha.
Dy të plagosurit u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Ndërsa oficeri i ushtrisë, pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici bashkë me armën e shërbimit.
Për ngjarjen kanë nisur hetimet.
“Sot rreth orës 12:20, në Vorë, Ergest Hoxha, 34 vjeç, ka plagosur me thikë në krah Kidi Muzhaqin, 24 vjeç, banues në Vorë, pasagjer në automjetin me drejtues Ermal Muzhaqin, 27 vjeç, (vëllezër). Në këto momente, drejtuesi i mjetit, Ermal Muzhaqi, (oficer ushtrie), ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka plagosur Ergest Hoxhën. Të dy të dëmtuarit janë shoqëruar në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa Ermal Muzhaqi, është vetëdorëzuar në Polici, së bashku me armën e shërbimit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia.