Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e rreth 220 mijë eurove që po transportoheshin nga një taksist, ngjarje e ndodhur më datë 4 Tetor në kryeqytet.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se ka mundur të identifikojë 4 autorët e dyshuar, të gjithë gjeorgjianë. Ata janë shpallur në kërkim.
“Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vjedhje janë Levan Kiria, 30 vjeç, Tengiz Natchkebia, 36 vjeç, Noshrevani Kutalia, 30 vjeç, dhe Yousuf Bozkurt, 31 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane, për të cilët po punohet për kapjen dhe arrestimin e tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, si dhe është shpallur në kërkim një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së kësaj ngjarje”, thuhet në një njoftim për mediat.
Autorët e dyshuar kanë hyrë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut përmes një makine të marrë me qira. Më pas për të realizuar vjedhjen ata kanë përdorur një motor, të blerë tek po një shtetas i huaj.
Policia po verifikon dhe destinacionin e parave. Kjo pasi ka dyshime se paratë nuk kanë qenë për në bankën e nivelit të dytë, ndryshe nga çfarë u pretendua fillimisht nga taksisti dhe pronarët e Exchange ku u mor shuma e konsiderueshme.