Kryesore “I ka bërë shumë keq llogaritë”, edhe Meta paralajmëron Ramën për Portin...

“I ka bërë shumë keq llogaritë”, edhe Meta paralajmëron Ramën për Portin e Durrësit

“Vetëm rruga e transparencës së shpejtë dhe të menjëhershme mund të qetësojë këtë situatë për ndryshe Edi Rama i ka përllogaritur shumë keq pasojat e kësaj aventure të re.”

Ishte ky paralajmërimi i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për kryeministrin Edi Rama në lidhje me projektin e Portit të Durrësit.

Në një deklaratë për mediat, Meta e cilësoi projektin korruptiv që mund të rrezikojë marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

“Partia e Lirisë është shumë e qartë në raportet me ndërkombëtarët, por investitori më strategjik mbi këtë tokë është populli i Shqipërisë. Kush hyn në aventura me një njeri të marrë që e di që është në fundin e vonuar të qeverisjes së vetë të dështuar dhe që kërkon të lërë peng Shqipërinë edhe për 5 vjet të tjera, bën gabim që përfshihet në këtë aferë që mund të shkojë në vlerë edhe më shumë se inceneratorët.

Iku koha kur punët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve i gjykonin zyrtarë dhe burokratë që se kanë lexuar asnjë ditë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE. Vetëm rruga e transparencës së shpejtë dhe të menjëhershme mund të qetësojë këtë situatë për ndryshe Edi Rama i ka përllogaritur shumë keq pasojat e kësaj aventure të re”, theksoi Meta.