Politika I kërkoi Kryemadhit të bëhej e penduar e drejtësisë, Berisha tërhiqet: Njësoj...

I kërkoi Kryemadhit të bëhej e penduar e drejtësisë, Berisha tërhiqet: Njësoj si të flasë para Nuredin Dumanit

Sali Berisha duket se ka reflektuar për deklaratën që bëri dy ditë më parë nga dritarja e banesës së tij.

Mbrëmjen e 25 tetorit, gjatë fjalimit të tij të përnatshëm, Berisha u kërkoi si Kryemadhit ashtu edhe ish-ministrit të Mjedisi, Lefter Koka që të flisnin për ‘peshkun e madh’ të 460 mijë eurove të inceneratorëve, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama.

Por, sot në një konferencë me gazetarët, Berisha u pyet nëse me këtë thirrje kërkonte që Kryemadhi të bëhej bashkëpunëtore e drejtësisë. Në përgjigjen e tij, kreu i Partisë Demokratike krahasoi Altin Dumanin me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.

Sipas Berishës, kthimi i Kryemadhit në një ‘pentito’ do të ishte njësoj sikur të rrëfehej përpara vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.

Pjesë nga konferenca:

Pyetje: Ju e keni bërë të qartë tashmë mbështetjen për aleatin tuaj, Ilir Metën për situatën e tij juridike. Pak ditë më parë i kërkuar Monika Kryemadhit ti tregojë shqiptarëve se cili është peshku i madh dhe të informojë se në cilin rast; i ka dorëzuar Edi Ramës, 460 mijë euro. A është kjo një thirrje ndaj Monika Kryemadhit që të bëhet bashkëpunëtore e drejtësisë.

Sali Berisha: Pyetja është komplekse. Së pari, për Ilir Metën. Theksoj se brutaliteti, prita dhe brutaliteti i urdhëruar nga Edi Rama i aplikuar ndaj Ilir Metës do të mbetet akti më kriminal, më i turpshëm, më antikushtetues në historinë e këtij vendi. Akt, të cilin nuk e gjeni dot, mjerisht, as në analet e diktatorit Hoxha. Së dyti, nuk mbroj asnjë akt korruptiv të asnjë njeriu. Por, ua them unë ju këtu, të mos paraqesësh dot asnjë fakt dhe ta kesh pasur Kastriot Ismailin 4 apo 6 vite në burg, të kesh përdorur të gjitha metodat për t’i marrë dëshmi kundër Ilir Metës dhe ai nuk ka pohuar asgjë, atëherë më thoni ju mua, cili është ai njeri që mund të besojë deklaratat e tjera, kur personit për të cilin ky akuzohet, i ishte ofruar lirimi i menjëhershëm nëse do pohonte gjënë më të vogël. E kuptoni ju se çfarë drejtësie është kjo? Çfarë turp-drejtësie është kjo? Të akuzosh Ilir Metën se ke porositur një shtëpi te një biznesmen dhe i ke marrë përsipër për të votuar një ligj, në një kohë që mercenar Dumani thotë se ke anuluar blerjen e shtëpisë, por thotë se ligjin e ke kaluar. Duhet të kesh atë fytyrë që kanë, të shkruar në këtë mënyrë para shqiptarëve. Ligjin nuk e kalon Ilir Meta me 20 deputetë, ligjet i kalon Edi Rama me 67 deputetë që kishte.  Ligji, për të cilin Dumani pafytyrësisht akuzon Metën se u kalua, në fjalimin panagjerik të Edi Ramës në parlament për këtë ligj ju do gjeni superlativat më të rralla për një ligj. Çfarë fytyre kanë këta njerëz që këndej akuzojnë se kalove ligjin, kur e dinë se ligji nuk kalon me 20 deputetë, dhe nuk guxojnë të thërrasin Edi Ramën që kaloi të njëjtin ligj. A nuk është kjo një turp-drejtësi? Tani, vijmë tek rasti i zonjës Kryemadhi. Zonja Kryemadhi është një politikane që në rininë e saj. Politikani ka për gjykatës publikun në radhë të parë, asnjë nuk qëndron mbi ligjin, por personalisht ndjej se çdo politikan duhet të qëndrojë transparent dhe të bëjë transparencë para së gjithash publikut, aty është detyrimi. A e kuptoni ju se Altin Dumani është ndoshta më kriminel se Nuredini? Sepse Nuredini ka kryer vrasje, po i ka pohuar ato, i ka rrëfyer aty, i ka treguar ato. Kurse Dumani është një mashtrues ordiner, një njeri që fsheh krimet, që përdor krimet për pengmarrje, që zbaton urdhrat të atyre që e kanë marrë peng. Nuk mund të imagjinohen gjëra të tilla. Pra, çdo politikan, çdo qytetar duhet të qëndrojë me transparencë para kësaj drejtësie të inkriminuar në çdo qelizë, siç fakton ky studim.  Lexoni pak kush është në bordin e Ëorld Justice Project. Nuk ka asnjë lidhje opozita shqiptare me të. Pra, ju bëni fjalë për drejtësi. Këtu nuk ka drejtësi, ka padrejtësi. Krahas Nuredinit duhet të ishte edhe Altini aty me qëndrimin që mban ndaj krimit, me dosjet që mbyll.

Pyetje: Prapë unë nuk mora një përgjigje konkretisht nga ju. A po i kërkoni Monika Kryemadhit të kthehet në një të penduar të drejtësisë, apo pranoni që deklarata juaj, ishte një lapsus.

Sali Berisha: Tani, do na falni pak, por unë përgjigje nuk mund të jepja se sa të krahasoja Altinin me Nuredinin. Çka nënkuptoja se për mua ishte njëlloj si të më thoshin se a duhet të bëhet e penduar Monika Kryemadhi tek Nuredin Dumani. Këtë nuk mund të ma thuash dhe unë nuk mund t’ia them kujt këtë.