Historia e Lunës për diagnostikimin me kancer u bë publike si pasojë e rrjedhjes së lajmit. Vajza e gazetarit Dëfrim Methasani shprehet në “Ka Një Mesazh Për Ty” se dëshira e saj ka qenë gjithnjë që historia të mbetej private.
Luna pranon me dhimbje në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” se e ndien që kjo e ka rënduar së tepërmi të atin pasi nuk mund të kërkonte ndihmën që i duhej për të bijën. Veç kësaj, Luna tregon edhe trishtimin që ndjeu kur ndërkohë që përballej m sëmundjen, lexonte edhe komente të shumta që e lëndonin.
Luna Methasani: Lajmi rrodhi pa dashur, pa dëshirën time. I kisha kërkuar babit që të qëndrojmë privatë, mirëpo e ndiej që e kam lënduar shumë kur ia kam kërkuar këtë gjë sepse për shqiptarët e thjeshtë, përfshirë edhe familjen tonë, me rroga shteti është shumë e vështirë që të përballohen shpenzimet me shumë shifra, me shumë zero nga pas. Trajtimet mjekësore janë shumë të shtrenjta fatkeqësisht për këtë lloj sëmundjeje, ndaj përveç dhimbjes së madhe që kishte për një fëmijë të sëmurë, tim ati i duhej që të gjente forcën dhe mundësinë ekonomike për të përballuar këto shpenzime dhe nëse nuk do të dilte publikisht, e bënte akoma më të vështirë këtë gjënë. Sigurisht, miqtë e shumtë dhe emri i mirë që ka lënë kudo, e ndihmuan. Ndihmuan shumë familjarë, farefisi, daja, halla dhe na u gjendën pranë në këto momente të vështira, por lajmi rrodhi. U preka shumë kur isha në spital dhe lexova komente të tipit “mirë, kjo është vajza e gazetarit, por për vajzat e një njeriu të thjeshtë kush do të mendojë?”
Ardit Gjebrea: Janë gjithmonë këto komente.
Luna Methasani: Sigurisht, por ia thashë për një arsye babit tim që të qëndrojmë në privatësinë tonë Ardit sepse fatkeqësisht ka shumë raste. Njerëz të shumtë që vuajnë, fëmijë edhe më të vegjël se unë, njerëz me probleme ekonomike, ndoshta edhe në ndihmë sociale dhe nuk kanë mundësi për të përballuar trajtime të tilla, kështu që ato para që mbase do duhej të shkonin për mua nëpërmjet një GoFund Me apo një thirrje publike, një aplikimi që mund të bëhej në ministri për fonde të shtetit, mendoja që mbase mund të shkojnë për një rast që vuan akoma më shumë apo që është më i vogël se unë. Prandaj dua ta ftoj sot që t’i kërkoj falje që mbase e kam rënduar pak gjatë këtij viti, por edhe ta falenderoj publikisht. Vajza dhe babi janë shokë të pandashëm, është shoku i parë, dashuria e parë dhe ashtu do të vazhdojë të mbetet gjithmonë.