Raportimi i gazetarit të CNN në Twitter se një djalë nga Kosova kishte gjetur një portofol me 2000 dollarë që i përkiste aktores hollivudiane Meryl Streep, ka bërë xhiron e rrjeteve.
Gjesti i tij fisnik për t’ia kthyer patjetër pronares së tij, pa kurrfarë shpërblimi mahniti edhe gazetarin Bill Weir.
Emisioni “Rudina” në Tv Klan mundi ta mësonte dhe të realizonte një intervistë në Skype me protagonistin Zymer Berisha për të ditur pak më shumë mbi ngjarjen.
Zymer Berisha: Meryl Streep s’e kam takuar ende, është një nga aktoret e mia më të preferuara, por kam takuar vajzën e saj. Ajo ka qenë e para që ka ardhur të marrë portofolin.
Zymeri tregon se portofolin e ka gjetur në Bruklin, në Nju Jork, ku edhe jeton e punon. Vendi i tij i punës grumbullon shpesh personazhe të artit dhe biznesit.
Zymer Berisha: Ishte një mbrëmje e bukur, për fatin tim që ta kisha në dorë atë portofol. Pashë një çantë të madhe midis rrugës. Makinat kalonin dhe e shkelnin, më dukej si një çantë e madhe e thashë të shkoj ta heq se më dukej sikur makinat vetëm i kalonin sipër. E mora, e hapa çantën për ta ditur e kujt ishte dhe kur e pashë aty fotografinë, kishte disa dokumente, karta krediti dhe në foto m’u duk si ndryshe, por kur e lexova, ishte Meryl Streep.
Rudina Magjistari: Në fotografinë e pasaportës ashtu dalim të gjithë, ndryshe, normale edhe Meryl Streep s’bën përjashtim.
Zymer Berisha: Në atë moment u befasova, por në të njëjtën kohë nuk hezitova të kontaktoja disa numra telefoni që ishin aty brenda. Vajza e saj erdhi ta marrë.
Rudina Magjistari: Mësove si kishte ndodhur që ajo çantë e madhe gjendej në mes të rrugës?
Zymer Berisha: Nuk e mësova, por vajza e saj punon aty pranë dhe me siguri ka vizituar atë e diçka ka ndodhur që e ka harruar aty.
Shumën e parave ai e mësoi vetë, gjatë kohës që po kontrollonte çantën nëse kishte ndonjë të dhënë se kujt i përkiste portofoli.
Zymer Berisha: E konstatova vetë më herët. I pashë fotografitë e fotot që u mundova të mësoj se kujt i përket çanta për t’ia kthyer. Shuma e parave ishte e madhe, por sidoqoftë që e kam mësuar prej prindërve të mi, që çfarëdo qoftë, me vlerë sado të madhe, kur s’të përket ty, nuk është e jotja. Vajza e saj në fillim tha “oh Zot i madh” dhe pasi u largua prej meje e kishte parë që s’mungonte asgjë.
Rudina Magjistari: Është e vërtetë që ajo të ofroi një shpërblim por ti nuk pranove?
Zymer Berisha: Vajza e saj erdhi prapë e më tha që mami më dërgoi prapë te ti se duhet të pranosh diçka të vogël sa për falenderim dhe e pranova.