Maggie Fox, CNN
Një studim i ri sugjeron, se njerëzit që e kalojnë Covid-19 me simptoma të lehta apo madje edhe pa simptoma fare, duhet të falënderojnë paraardhësit e tyre të Neandertalit. Studiuesit zbuluan një mutacion gjenetik, që zvogëlon me rreth 22 për qind rrezikun e infeksionit të rëndë me Covid-19.
Mutacioni në fjalë u gjet në të gjitha mostrat që ata morën nga ADN-ja e Neandertalit dhe tek rreth 30 për qind e mostrave nga njerëz me origjinë evropiane dhe aziatike. Ai ndikon në reagimin imunitar të trupit ndaj viruseve të ARN si koronavirusi i ri, si dhe virusi i Nilit Perëndimor apo virusi i hepatitit C, raportuan studiuesit.
“Ky rajon kodifikon proteina që aktivizojnë enzimat, të cilat janë të rëndësishme gjatë infeksioneve me viruset ARN”, shkruajnë ata. Ky mund të jetë një nga ato mutacione që është përcjellë gjatë mijëvjeçarëve, pasi i ka ndihmuar njerëzit që të mbijetojnë”, raportuan Svante Pabo dhe Hugo Zeberg i Institutit Maks Plank për Antropologji Evolucionare në Lajpcig të Gjermanisë.
“Ne tregojmë në këtë studim se një haplotip në kromozomin 12, që lidhet me një rënie prej 22 për qindtë rrezikut relativ të sëmurjes së rëndë nga Covid-19 kur dikush infektohet nga SARS-CoV-2, është trashëguar nga Neandertalët. Rreziku relativ i nevojës për një kujdes intensiv zvogëlohet me rreth 22 për qind për njerëzit që kanë kopje të haplotipit Neandertal”- shkruajnë studiuesit.
Ky mutacion është i pranishëm në frekuenca të konsiderueshme në të gjitha rajonet e botës jashtë Afrikës. Kështu, ai është i pranishëm në popullatat në Euroazi dhe Amerikë me frekuencat që shpesh arrijnë dhe tejkalojnë nivelin 50 për qind.
Kjo gjetje mund të ndihmojë në shpjegimin se përse pacientët zezakë, kanë më shumë të ngjarë që të vuajnë nga një formë e rëndë e koronavirusit. Neandertalët, të cilët u zhdukën rreth 40.000 vjet më parë, jetuan përkrah dhe nganjëherë u çiftuan me njerëzit modernë në Evropë dhe Azi, por jo në Afrikë.
Për këtë arsye, njerëzit me origjinë afrikane nuk e bartin ADN-në e Neandertalit. Studimet vlerësojnë se rreth 2 për qind e ADN-së tek njerëzit me origjinë evropiane dhe aziatike, mund të gjurmohen që nga Neandertalët. Ekipi i studiuesve përdori mostra të marra nga më shumë se 2.200 njerëz të gjallë me raste të rënda të koronavirusit.
Ata gjetën një rajon gjenetik që ndikonte mbi ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve të rënda. Pastaj e krahasuan me ADN-në e marrë nga skeletet e 4 njerëzve të lashtë – një Neandertal 70.000 vjeçar nga Siberia, një Neandertal 50.000 vjeçar nga Kroacia, një Neandertal 120.000 vjeçar nga Shpella Denisova në Siberi dhe një Neandertal 80.000 vjeçar po nga Shpella Denisova.
Të katër mostrat, bartën të njëjtat versione të asaj sekuence gjenetike.
Vitin e kaluar, Pabo dhe Zeberg identifikuan një mutacion gjenetik të trashëguar nga Neandertalët, që e shtonte rrezikun e sëmurjes rëndë me Covid-19. Ashtu si me shumicën e tipareve, ndjeshmëria ndaj sëmundjeve dhe rezultateve serioze, ndikohet nga një larmi ndryshimesh gjenetike. / “CNN” – Bota.al