Policia e Krujës ka zbuluar një shtëpi të përshtatur për kultivimin e kanabisit, ndërsa është vënë në pranga shtetasi H. H. (vëllai i pronarit të këtyre ambienteve), pasi kishte në ruajtje ambientet ku kultivoheshin bimë narkotike.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve në ambiente të mbyllura, ku dyshohet se kultivohen bimë narkotike, bazuar dhe në inteligjencën operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Vijimi”, në kuadër të të cilit u zbuluan 4 ambiente të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi H. H. (vëllai i pronarit të këtyre ambienteve), pasi kishte në ruajtje ambientet ku kultivoheshin bimë narkotike.
Nga hetimet, rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, në 2 ambientet e zbuluara si rezultat i operacionit “Derveni”, të zhvilluar 2 ditë më parë, kanë përshtatur edhe këto 4 ambiente, për të njëjtën veprimtari kriminale”, njofton policia.