Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë kryekomisarin Gëzim.P, me detyrë Shef Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Sipas asaj që njofton AMP, kryekomisari dyshohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Bëhet e ditur se i arrestuari duke shfrytëzuar funksionin, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe i ka marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë pronarit të një lokali në qytetin e Durrësit.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumenta që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), pas hetimeve intensive të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Kryekomisar G.P., me detyrë Shef Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi i tij u bë i mundur, pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke aplikuar metoda speciale, si rezultat i të cilave u siguruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes një shtetasi, posedues i një lokali në qytetin e Durrësit.
Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumenta që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.