Nga Tanja Porja, A2 CNN
Që nga dita e diel, masat e nxehta ajrore të Afrikës kanë depërtuar drejt Europës Jugore dhe Lindore, përfshirë edhe gadishullin e Ballkanit duke sjellë në këto rajone, temperatura shumë të larta dhe pluhurin e shkretëtirave afrikane.
Vala e të nxehtit afrikan nuk është një fenomen i jashtëzakonshëm për Europën Jugore, gjatë korrikut dhe gushtit këto masa ngjiten drejt veriut duke sjellë ditë përvëluese dhe net tropikale në vendet e Mesdheut.
Kjo valë e parë e të nxehtit afrikan do të qëndrojë gjatë në rajonin e Ballkanit, ku parashikohet që termometri gjatë orëve të mesditës të kapërcejë vlerën 40°C në disa zona të Maqedonisë Veriore, Greqisë dhe brigjeve të Detit të Zi, ndërsa për Ballkanin Perëndimor, Shqipërinë dhe Kosovën temperatura mund të ngjitet mbi 40°C vetëm në lokalitete të izoluara.
Nga pikëpamja më afatshkurtër, temperaturat kulmojnë nga e mërkura në të premte, por fundjava sjell një freskim me të paktën 3°C të motit në të gjithë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë.