Një pjesë e madhe e Europës Jugore vijon të “pushtohet” nga temperaturat rekord, ndërsa zjarret po shpërthejnë në të gjithë kontinentin. Të martën temperaturat arritën në 46,3 gradë Celsius në Siçili, ndërsa ekuipazhet luftuan me zjarret në Greqi dhe në Alpet zvicerane.
Që nga dita e hënë, në Greqi kanë shpërthyer zjarre të shumta duke përfshirë dhe një vatër e cila çoi në evakuimin e 1 mijë e 200 fëmijëve nga një kamp veror. Zjarri më i rëndë në Greqi aktualisht është në rajonin Dervenochoria në veri të Athinës. Zjarret po ashtu po vijojnë të përhapen gjerësisht në Loutraki dhe në Kouvaras të Greqisë.
“Shqetësimi ynë kryesor është mbrojtja e jetës njerëzore,” tha zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Yannis Artopios.
Nga zjarret po vuan edhe Zvicra me një vatër të madhe në afërsi të fshatit Bitsch, për të cilin autoritetet thanë se nisi të hënën pasdite dhe u përhap me shpejtësi gjatë natës.
Një tjetër zjarr në ishullin spanjoll, La Palma që nisi të shtunën, ka shkatërruar 20 shtëpi. Por, temperaturat më të ftohta gjatë natës dhe nivelet më të larta të lagështisë së ajrit ndihmuan zjarrfikësit të fitonin betejën e tyre kundër zjarrit dhe ta vendosnin atë nën kontroll.
Alarmet e kuqe, që paralajmërojnë njerëzit për një rrezik shumë të lartë shëndetësor për shkak të vapës së fortë, mbeten në fuqi në pjesën më të madhe të Italisë, Spanjës, Greqisë dhe një pjese të Ballkanit.
Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Evropë u vendos në Gusht 2021 – 48.8 gradë Celsius në rajonin e Palermos të Siçilisë.
Temperaturat ekstreme kanë përfshirë edhe pjesë të tjera të globit, përfshirë SHBA-në dhe Kinën.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) thotë se valët e të nxehtit do të bëhen më të rënda në vitet në vijim dhe se modelet ekstreme të motit nxjerrin në pah nevojën për më shumë veprime klimatike.