Shqipëria po përballet me rritje të shpejtë të temperaturave dhe parashikimet për të ardhmen janë edhe më shqetësuese. Një grup shkenctarësh të klimës, ekonomistë dhe analistë të dhënash nga universitetet më prestigjoze amerikane kanë publikuar një raport tronditës mbi ndryshimet e klimës në çdo vend të planetit.
Studimi, i cili është publikuar fillimisht në New York Times ka matur ndryshimin e temperaturave për çdo qytetet të globit si dhe parashikimet për dekadat e ardhshme. Sipas tij, për kryeqytetin e Shqipërisë, temperatura mesatare për stinën e verës, gjatë dy dekadave të ardhshme pritet të jetë 2.2 gradë celcius më e lartë nga sa ishte 30 vjet më parë.
Më konkretisht, për periudhën 1986-2005 temperatura mesatare në Tiranë për muajt qershor-korrik-gush ishte 21.7 gradë celcius. Por në dy dekadat e ardhshme, pra në periudhën 2020-2039, kjo shifër pritet të arrijë në 23.9 gradë celcius.
Por Shqipëria nuk është vendi i vetëm që po përballet me rritjen e shpejtë të temperaturave. Studimi lëshon alarmin se ky fenomen është një emergjencë globale dhe se njerëzimi po e humbet betejën me ndryshimet klimaterike. Sipas shkencetarëve, kjo do të ketë pasoja të mëdha dhe shumëfishe, që nga shëndetësia e deri në ekonomi duke e bërë planetin një vend më të vështirë për të jetuar.
Prej vitesh ndryshimet klimaterike janë bërë një nga çështjet më të nxehta të debatit publik në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2015, nën siglën e Kombeve të Bashkuara 195 shtete të globit nënshkruan në Paris një marrëveshje ku u zotuan të ndërmarrin reforma serioze për të luftuar ndryshimet klimaterike. Por Marrëveshja e Parisit mori një goditje të fortë kur dy vjet më parë presidenti amerikan, Donald Trump vendosi të tërheq Shtetet e Bashkuara, çka ka rritur edhe më shumë frikën se njerëzimi nuk do të arrijë të ndalë dot rritjen e shpejtë të temperaturave dhe pasojat apokaliptike që ngrohja do të ketë mbi planetin Tokë.