I pari kryeministër shqiptar që do të vizitojë “10 Downing Street”. Kështu shkruan “The Guardian” për takimin që do të zhvillojë kreu i qeverisë Edi Rama me homologun e tij britanik, Rishi Sunak. Kryeministri shqiptar ka folur për prestigjiozen britanike, e cila thotë se Rama pritet që të shfaqë në bisedimet me Sunak të njëjtën frymë kundërshtuese dhe origjinale që tregon kudo.
“Do të them të vërtetën”, është shprehur Rama për “The Guardian”.
“Ajo që kemi parë dhe dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar është një turp, veçimi i një komuniteti dhe të lidhësh të gjithë shqiptarët me kriminelët”, ka thënë kreu i qeverisë.
“The Guardian” shkruan se takimi ka të ngjarë të dominohet jo nga bisedat e vogla diplomatike, por nga politika reale, në një kohë kur lidhjet anglo-shqiptare janë lënë në hije nga kalimet e paligjshme me anije, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimi i organizuar.
Rama ka thënë për “The Guardian” se qëllim kyç ka hedhjen poshtë të stereotipeve.
“Retorika nxitëse që anëtarët e lartë të qeverisë konservatore kanë dhënë pas Brexit-it, jo vetëm që kanë tronditur shumë në vendin e tij, por edhe shqiptarët që i binden ligjit, taksapaguesit dhe një komunitet shqiptar që tani mendohet të jetë në rreth 150 mijë persona në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan “The Guardian”.
Deklarata e sekretares së Brendshme Suella Braverman, se brigjet jugore të Anglisë po shënjestrohen nga emigrantë, shumica shqiptarë të rinj, që po synojnë të organizojnë një “pushtim” ka qenë shumë shqetësuese për kryeministrin shqiptar.
“Fatkeqësisht ajo që kemi dëgjuar nuk ishte thjesht një lloj lapsusi, por gjëra që dolën nga goja si një gabim. Është pjesë e një shpirti të tërë që është krejtësisht në një rrugë përplasjeje me Britaninë e Madhe, atë Britani të Madhe për të cilën kam respekt”, tha Rama.
Rama ka theksuar për The Guardian se është më e rëndësishme se kurrë që politikëbërësit britanikë të ndajnë në mendjet e tyre “shqiptarët normalë” nga “mollët e kalbura” që janë përfshirë në rrjetet kriminale.
“Për disa kohë kemi punuar dhe luftuar së bashku kundër bandave kriminale që nuk janë ekskluzivisht shqiptare, por ndërkombëtare. Dhe ne duam që ta forcojmë këtë bashkëpunim, por ajo që është kaq shqetësuese është lidhja që bëhet kaq shpesh mes të qenit shqiptar dhe të qenit kriminel. Është e qartë që shqiptarët nuk kontrollojnë kanalin. Është absurde”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama nuk ka ngurruar të përmendë edhe fakte për “The Guardian”. Ai ka thënë se edhe në Greqi dikur u krijuan stereotipe për shqiptarët pasi me dhjetëra mijëra u detyruan të kërkonin azil pas rënies së regjimit komunist. Për vite, të ardhurit përshkruheshin si të papërshtatshëm, problematikë dhe herë pas here barazoheshin me kriminelët. Tre dekada më vonë, rreth 1 milionë shqiptarë e kanë bërë këtë vend shtëpinë e tyre dhe zyrtarët e konsiderojnë komunitetin shqiptar si një pjesë integrale të shoqërisë greke.
“The Guardian” shton se ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, theksoi pikërisht këtë pikë gjatë inaugurimit të ekspozitës së Ramës në Athinë duke shtuar se vendimi për ta bërë ceremoninë në Zappeion ishte për të dërguar një “mesazh të fortë dhe të qartë” miqësie drejt një vendi fqinj, të cilën Greqia shpreson që ta shohë sa më shpejt të bëhet anëtare e BE-së.
“Marrëdhëniet tona kanë ndryshuar thellësisht”, është shprehur Rama duke përshkruar se sa emocionale ishte të udhëtoje me një autokolonë drejt ekspozitës së tij në një ndërtesë historike në Athinë.
“Shqiptarët kanë patur sukses jashtë vendit. Në të kaluarën, njerëzit në vendin tuaj, pra Britani, emigruan në Australi dhe Amerikë. Njerëzit kanë të drejtë të ëndërrojnë për diçka që është më e madhe dhe më e mirë. Nuk mund ta ndaloni ose parandaloni atë. Mbeta i habitur kur një deputet pyeti se pse njerëzit po kalonin kanalin me varka dhe nuk vijnë me avion. E vështirë të besohet kur e vërteta është se edhe ministrat e qeverisë në Shqipëri hasin vështirësi në marrjen e vizave për në Mbretërinë e Bashkuar”, përfundon intervista e Ramës për “The Guardian”.
Kujtojmë që takimi kryesor i kreut të qeverisë shqiptare me homologun britanik Rishi Sunak është programuar pasditen e sotme. Tema kryesore e bisedimeve do të jetë çështja e emigracionit të paligjshëm.
Përveç takimit me kryeministrin Rishi Sunak, kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë edhe në disa evenimente të tjera. Ndër to, ai do të mbajë një fjalë në “London School of Economics” dhe do të marrë pjesë në një takim që zhvillohet në Ministrinë e Jashtme britanike ku do të jenë pjesëtarë të komunitetit shqiptar si dhe nga komunitete të tjera. Të premten është programuar edhe një takim mes ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi me homologen britanike Suella Braverman.