Cristiano Ronaldo është lojtari i parë i të gjitha kohërave që realizon 850 gola në karrierë. Portugezi 38-vjeçar shënoi golin e 4-t për Al Nasr në fitoren 5-1 ndaj Al Hazem, duke u konfirmuar edhe në krye të klasifikimit të shënuesve më të mirë të Saudi Pro League, me 6 gola në 4 ndeshje.
CR7 ka shënuar 5 gola me fanellën e Sportingut të Lisbonës, 145 gola me fanellën e Mançester Junajtid, 450 gola me fanellën e Realit të Madridit, 101 gola me fanellën e Juventusit, 123 gola me Portugalinë dhe 25 gola deri tani me Al Nasr.
Një rrugëtim i nisur shumë vite më parë, saktësisht më 7 tetor 2002, në ndeshjen Sporting Lisbonë-Moreirense, kur shënoi golin e parë si profesionist. Nuk kishte lindur akoma festimi i tij ikonik me ‘sium’. Ai festim lindi vite më pas me Real Madrid, ku roli ishte ndryshe dhe emri i portugezit rikujtonte Ronaldo Fenomenin, deri në atë kohë i vetmi Ronaldo.
Që nga ajo kohë, 21 vjet më pas, golat janë aq të shumtë sa e kanë bërë shënuesin më të mirë të çdo kohe në ndeshje zyrtare. E kishte arritur këtë rekord më 7 mars 2022, kur realizoi golin numër 807, duke kaluar Josef Bican. Federata çeke protestoi, duke pretenduar se Josef Bican kishte shënuar 821 gola në ndeshje zyrtare.
Një vit e gjysmë më pas CR7 ka mbyllur çdo diskutim, sepse askush nuk ka arritur më parë numrin e golave të shënuar prej tij: 850 gola.
Rivali më i afërt i portugezit për këtë rekord të radhës është Lionel Messi. Argjentinasi, rival i përjetshëm i Ronaldos, ka shënuar 829 gola në karrierë. Pasi u sfiduan gati gjithë karrierën në fushat e La Ligës, ata u ndanë vitet e fundit, por nuk rreshtin së dueluari në distancë me numra, rekorde, gola dhe trofe. Dikush mund të thotë se League One Cup amerikane dhe Champions League arabe nuk janë trofe prestigjiozë, por përpara karrierës së këtyre të dyve, në fund të fundit, ç’rëndësi ka?