Kryesore I “përpiu” furtuna në qeveri, ja si do t’i sistemojë Rama ish-ministrat...

I “përpiu” furtuna në qeveri, ja si do t’i sistemojë Rama ish-ministrat e tij

“Furtuna” që përjetoi qeveria “Rama 2”në ditët e fundit të vitit 2018 shkaktoi jo pak bujë në opinionin publik.

Kjo për shkak të rëndësisë së emrave që u larguan dhe faktit se zëvendësuesit e tyre të rinj vinin si anonimë, përveç Erion Braçes dhe Bledi Cuçit, dy figura të njohura në Partinë Socialiste.

Por “lëkundjet” në prag të 2019-ës nuk ndihen më dhe qeveria ka rënë në qetësi, kjo edhe pas zgjidhjes së ngërçit me ministrin e Jashtëm, që zbuti disi konfliktin Rama-Meta, duke i krijuar kryeministrit komoditetin për të menduar se si do t’i sistemojë benjaminët e tij të shkarkuar pas 5 viteve, në poste të rëndësishme.

Prej ndryshimeve në qeveri, kanë mbetur bosh 5 vende në komisionet Parlamentare, të cilat pritet të plotësohen nga ish-ministrat. Sipas Report Tv zëvendëskryeministrin Erion Braçe si kryetar të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, pritet që ta zëvendësojë Arben Ahmetaj, figura brenda PS, me të cilin deputeti i Divjakës ka pasur edhe më shumë përplasje gjatë mandatit të dytë qeverisës.

Ndërkohë Bledi Çuçi si ministër Bujqësie ka lënë dy vende bosh, ku më kryesori është ai në komisionin për reformën zgjedhore, por edhe posti i nënkryetarit të Komisionit të Integrimit.

Pritet që nënkryetar i këtij komisioni të propozohet Ditmir Bushati, ndërsa bashkëkryetare e Reformës Zgjedhore me Oerd Bylykbashin nga PD, pritet të emërohet deputetja Blerina Gjylameti, e cila është edhe kryetare e PS për degën e Tiranës.

Ndërkohë, Eduard Shalsi do të zëvendësohet nga ish-ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, në postin e kryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.

Edhe ministrja e re e Marrëdhënies me Parlamentin Elisa Spiropali ka lënë bosh karrigen e nënkryetares së Komisionit të Shëndetësisë, ku pritet ta pasojë deputetja Klodiana Spahiu.