I përzgjedhuri për të marrë detyrën si ambasador i ri i SHBA-së në Shqipëri, David Kostelancik mbajti fjalën e tij në Senatin Amerikan. Kostelancik e cilësoi si qëllim kryesor të Shteteve të Bashkuara, luftën ndaj korrupsionit në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi se bazuar te eksperienca e tij 30-vjeçare dhe dëshira e madhe për të forcuar partneritetin SHBA-Shqipëri, është i duhuri për të qenë ambasadori i ri në vendin tonë.
“Është një detyrë e rëndësishme dhe për shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Reforma në drejtësi do të ndihmojë Shqipërinë të ecë përpara drejt institucioneve europiane. Unë do të forcoj partneritetin me Shqipërinë, e kam ndjekur marrëdhënien që ka krijuar stafi i Ambasadës amerikane në Tiranë për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e sulmeve kibernetike nga Irani. Ne duhet të forcojmë pra mbrojtjen ndaj këtyre sulmeve, edhe në të ardhmen.
Për të mbrojtur infrastrukturën online të shërbimeve qeveritare shqiptare. Unë do ta forcoj klimën e biznesit në Shqipëri për të nxitur investimet amerikane, për të krijuar një treg transparent për investime të reja. Shqipëria po bën progres në rrugën e integrimit euro-atlantik, nëse unë do të konfirmohem nga Senati, do të kem nderin që të ndërtoj mbi bazën e eksperiencës time 30-vjeçare, forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ju falenderoj për nominimin dhe jam i hapur për pyetjet tuaja”, tha Kostelancik.