Një javë më parë opinioni publik në Britaninë e Madhe u trondit pas raportimeve se një azilkërkues ndërroi jetë në bordin e strukturës lundruese “Bibby Stockholm”, që është ankoruar në Portland dhe po përdoret nga Home office për të strehuar azilkërkuesit që ka mbërritur me gomone përmes Kanalit Anglez.
Këtë të hënë e përditshmja britanike “The Telegraph” ka zbuluar identitetin e personit që ka vdekur, duke bërë me dije se bëhet fjalë për 27-vjeçarin nga Durrësi, Leonard Farruku. I riu shqiptar dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda anijes së shndërruar në kamp emigrantësh, pasi më parë i kishte shprehur motrës së tij shqetësimin se po trajtoheshin si kafshë.
Telegraph sqaron se familja ka identifikuar 27-vjeçarin si personi që dyshohet se kreu vetëvrasje në Bibby Stockholm. Një javë para vdekjes ai ishte ankuar për shëndetin e tij mendor ndërsa një ditë para se të kryente aktin e rëndë, sipas emigrantëve të tjerë ishte dëgjuar duke bërtitur dhe përplasur kokën në kabinën e tij.
Farruku ka shfaqur ende shenja jete në momentin kur azilkërkuesi me të cilin ndante kabinën informoi zyrtarët që punojnë në “Bibby Stockholm”.
Motra e tij Jola Dushku, e cila jeton në Lombardi të Italisë a folur për “the Telegraph” duke thënë është e tronditur nga lajmi, të cilin sipas saj e kanë marrë vesh nga të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar, që janë kontaktuar nga policia në kuadër të hetimeve për vdekjen e të riut.
“Kur fola me të herën e fundit, ai më tha se kushtet në atë anije nuk ishin të këqija, por ata trajtoheshin nga rojet si kafshë. Vëllai im, kur mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar, i dha Home Office adresën e të afërmve tanë në Londër. Ata u kontaktuan nga policia e cila u tregoi se çfarë kishte ndodhur. Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk dimë më shumë detaje për vdekjen e tij”, ka rrëfyer ajo.
Gazetarët kanë arritur të zbulojnë se Farruku, i lindur në fshatin Manëz, pranë qytetit të Durrësit, kishte paguar 4,000 euro për të kaluar “La Manshin” me gomone gushtin e kaluar.
Motra e tij tha se ai kreu kalimin e rrezikshëm të Kanalit Anglez për të shkuar në kërkim të punës në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të siguruar leje qëndrimi.
“Ai erdhi në Britani me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo.
Më tej shtoi se ata kishin humbur të dy prindërit e tyre, një humbje që ndryshoi përgjithmonë vëllain e saj. “Leonardi u bë një person tjetër kur nëna jonë vdiq. Vdekja e saj e ndryshoi atë”, zbuloi motra e të ndjerit.
Sipas saj, Leonardi ishte i vendosur të merrte leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar ndaj “ishte i gatshëm të përmbushte të gjitha kërkesat e Home Office”. “Ai tha: “Po”, kur i thanë se do të akomodohej në atë anije ku ai kaloi ditët e fundit të jetës së tij. Unë do të gjej paqen në mendjen time vetëm kur të mësoj të vërtetën e asaj që ndodhi atë natë në Bibby Stokholm”, tha ajo.
Lidhur me rastin një zëdhënës i Home Office iu përgjigj interesimit të “The Telegraph duke thënë se “ky ishte një incident tragjik dhe mendimet shkojnë me të gjithë të prekurit”.
“Mirëqenia e të gjithë atyre në kujdesin tonë është e një rëndësie të madhe dhe ne e marrim përgjegjësinë tonë për mirëqenien e tyre jashtëzakonisht seriozisht. Kjo tani do të hetohet nga policia dhe mjekësia ligjore. Është e drejtë që të vërtetohen faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë vdekje”, theksoi zëdhënësi.
Sakaq, Leonard Farruku nuk është i pari shqiptar që kryen vetëvrasje në qendrat e azilkërkuesve në Britaninë e Madhe. Vdekja e tij vjen pasi një 23-vjeçar u përpoq të kryente vetëvrasje në një parking hoteli në Essex muajin e kaluar, pasi dëgjoi se do të transferohej në anijen “Bibby Stokholm”.
Po ashtu një 37-vjeçar nga Librazhdi u vetëvar pak javë më parë, në qendrën e emigrantëve “Brook House”, i shtyrë edhe nga kushtet e rënduara shëndetësore, por edhe dhuna e punonjësve.