Erind Çelmeta ishte një prej pushueseve që ndodhej në plazhin e Potamit në Himarë ditën e djeshme kur ndodhi tragjedia. Ai ka treguar se Arjan Tase, ka kryer me gjakftohtësi manovrën teksa drejtonte mjetin lundrues, duke i marrë jetën Jonadës 7-vjeçare.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, ai u shpreh se skafi kishte një fuqi motorike të fuqishme dhe trupin e vajzës e nxori nga deti i ati i saj.
Çelmeta u përlot teksa theksoi se ngjarja ishte tepër e rëndë dhe pushuesit vrapuan të tmerruar.
“Ajo manovër u bë me shumë gjakftohtësi nga drejtuesi i skafit, nuk pamë ndonjë acarim. Menjëherë ndërsa skafi filloi të bënte atë manovër shumë të shpejtë, me një fuqi shumë të madhe motorike, aty pamë një tmerr, ku deti u bë gjak i gjithi dhe njerëzit të gjithë vrapuan.
Tentuan me duart e tyre ta tërhiqnin skafin nga bregu, sepse ai person ishte aq gjakftohtë sa donte të ikte nga kjo skenë. Pas kësaj pashë babain i cili nxori vajzën, dhe e vuri trupin e saj në det. Ishte shumë e rëndë për të gjithë”, deklaroi ai.
Arjan Tase mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe pas kësaj ngjarjeje, është përjashtuar nga Gledis Nano.
Mbi të është ngritur akuza e vrasjes nga pakujdesia dhe pritet që brenda 48 orësh të njihet edhe më masën e sigurisë në gjykatën e Vlorës.