Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj ku një mësuese është dhunuar. 43-vjeçarja M.H është dhunuar nga tezja e një fëmije në klasën e tretë.
Ttezja kishte shkuar të merrte mbesën e saj pasi mbaroi mësimin, por kjo e fundit ishte duke qarë, ndërsa ka pretenduar se është bullizuar dhe dhunuar nga mësuesja.
Pas të qarave të mbesës së saj e cila ankohej se mësuesja e kishte dhunuar, tezja e saj e identifikuar si S.K ka shkuar tek mësuesja me të cilën ka pasur një debat të ndezur që degjeneroi në përdorimin e dhunës.
U desh ndërhyrja e stafit të shkollës për të ndalur përplasjen mes tyre. Ndërkohë vetë mësuesja ka shkuar në polici ku ka bërë denoncimin për dhunën e ushtruar ndaj saj nga S.K për shkak të detyrës.
“Memaliaj/ Dhunoi fizikisht një shtetase (mësuese), procedohet penalisht 41-vjeçarja. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. K., 41 vjeçe, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”. Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, 41-vjeçarja (familjare e një nxënëseje) ka dhunuar fizikisht një mësuese në këtë shkollë. Materialet procedurale në ngarkim të shtetases S. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në reagimin e Policisë.