Ai njihet për humorin e tij tipik shkodran, por mesa duket të gjithë e harruan Gëzim Krujën, “Mjeshtrin e Madh”, në këtë 80-vjetor.
I vetmi që iu gjend pranë në këtë ditë të veçantë për të ishte kolegu i tij, Zef Deda.
Gazetari Senad Nikshiqi nga Shkodra, ka kontaktuar Zef Dedën dhe kanë vendosur së bashku të shkojnë ti bëjnë vizitë surprizë humoristit shkodran.
Gëzim Kruja duket i habitur kur sheh në derën e shtëpisë aktorin Zef Deda. Në këtë 80-vjetor, Kruja po kalon momente të vështira shëndetësore dhe e ka të pamundur të flasë.
Teksa fshin lotët me shaminë e tij të nxjerrë nga xhepi Zef Deda shprehet: Gëzimin e kujtojnë të gjithë, sidomos kur janë fjetë.
Po ka edhe nga ata që janë zgjut e thonë hë se po shkoj sot, e hë se po shkoj nesër…Ca deshe me thanë? Ah, po ka të drejtë, ka të drejtë…nuk ka ardh kush me e kujtu. Vetëm këta të familjes, edhe njady të tjerë bashkë me televizionin”.
Gëzim Kruja, humoristi shkodran ka lindur në 4 dhjetor 1939. Një jetë në skenën shkodrane të humorit, ka spikatur me rolet e tij. Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor.
Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”.
Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.