Peter Shilton është protagonisti tjetër i një prej momenteve, që kanë shënuar historinë e futbollit, i quajtur “dora e Zotit” në “Meksikë 1986”. Ish-portieri i ekipit kombëtar të Anglisë, megjithatë, duket se nuk e ka falur kurrë Maradonën. “Ai kishte madhështi, por jo sportivitet”, – janë fjalët e tij në një intervistë për “Daily Mail”, 34 vite pas gjestit të ikonës argjentinasi. Por, Shilton pranon:
“Diego ishte lojtari më i mire, që kam hasur ndonjëherë. Sidoqoftë, ajo që nuk më pëlqen është se ai kurrë nuk kërkoi falje. Ai kurrë nuk pranoi se kishte mashtruar dhe të donte të kërkonte falje. Jeta ime ka qenë prej kohësh e lidhur me Diego Maradonën, por jo në mënyrën që do të doja. Sigurisht, jam i pikëlluar që kur mësova për vdekjen e tij në një moshë kaq të re. Diego ishte pa dyshim lojtari më i mirë, me të cilin jam përballur ndonjëherë. Mendimet e mia shkojnë drejt familjes së tij”.