Rey Manaj është kthyer të stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës pas dënimit që trajneri i Albacetes, Luis Miguel Ramis vendosi për sulmuesin e Shqipërisë, duke mos e grumbulluar për dy ndeshje dhe duke e lënë për një javë jashtë grupit në stërvitje. Manaj është stërvitur i veçuar.
Një sanksion që u aprovua edhe nga Këshilli Administrativ i klubit.
Motivi qëndron te fakti se përpara ndeshjes Fuenlabrada-Albacete, Manaj pasi kuptoi se nuk do të ishte në formacionin titullar, ka ngritur zërin dhe ka kërkuar shpjegime pse nuk do të ishte në fushë, duke qenë se përpara asaj ndeshje kishte shënuar edhe gol me kombëtaren, ndaj Moldavisë, shkruan “Marca”. Trajneri kuptoi se kjo ishte një mungesë respekti ndaj zgjedhjeve të tij dhe kështu e dërgoi në tribunë!