Një 35-vjeçar është vënë në pranga e policisë pasi tentoi të vriste një person, duke qëlluar disa herë me armë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte.
Sipas policisë, 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim kombëtar. Më 25 Prill ai ka tentuar të vrasë një 39-vjeçar për motive të dobëta.
“Më datë 25.04.2024, në Vaun e Dejës, shtetasi V. K. dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë shtetasin Gj. N., 39 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ky shtetas. Nga të shtënat pat vetëm dëme materiale,” njoftojnë blutë e Shkodrës.
Ndërkaq materialet proceduariale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Mbi të rëndojnë akuzat “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit,” njofton më tej policia.