Mattia Agnese, 17-vjeçari nga Italia fitoi “Fifa Fair Play Award 2020”, pasi i shpëtoi jetën një kundërshtari në fushën e lojës, duke i dhënë ndihmën e parë.
Më 25 janar, gjatë ndeshjes mes Cairese dhe Ospedaletti Calcio, pas një përplasje, një prej kundërshtarëve të Mattia, bie në tokë dhe humbet ndjenjat. 17-vjeçari nuk humbi kohë, duke reaguar menjëherë. Ai i dha ndihmën e parë kundërshtarit, i cili për fat të mirë arriti të shpëtojë.
Megjithatë, pasi mori çmimin, Mattia tha se ai nuk ishte hero. “Jeta ime nuk ka ndryshuar. Unë kam qenë gjithmonë i njëjti. Bëj të njëjtat gjëra”, tha 17-vjeçari.
Por, vlerësimet nuk munguan, madje nga figura të mëdha të botës së futbollit. “Ti je heroi im, heroi ynë”, tha Ruud Gullit, ish-futbollist i Milanit dhe Kombëtares holandeze.