Politika I sulmuar nga mediat pro Berishës, Fitim Zekthi: E vërteta e dënimit...

I sulmuar nga mediat pro Berishës, Fitim Zekthi: E vërteta e dënimit tim

Fitim Zekthi, një ndër gazetarët pranë PD-së, por së fundi kritik me ish-kryeministrin Sali Berisha, ka ofruar një sqarim publik mbi atë për të cilën akuzohet nga media pranë ish-kreut demokrat.

Zekthi është tashmë dhe anëtar kryesie i PD-së, por në llogoret e reja Basha apo Berisha, ai, nga enturazhi mediatik i Berishës po trajtohet si njeri i Bashës, e kësisoj po sulmohet në të kaluarën e tij.

Kështu, flitet për një dënim për mashtrim ndaj tij, në mungesë, rast i vitit 2003, të cilin Zekthi e sqaron si më poshtë:

“Për disa, për ata që nuk kanë asgjë veç politikës, lufta për pushtet është e paskrupullt. Është një shkrim që qarkullon çdo javë prej katër vitesh nga një portal. Tani po e nxjerrin këta tanët gjasme (Syri.Net).

Nuk ka asnjë sekret aty se e kam nxjerrë vetë te formulari i dekriminalizimit duke patur parasysh se dekriminalizimi synon krimin dhe trafikun, synon politikanët e korruptuar dhe lidhur me hajdutërinë.

Bëhet fjalë për një gjyq para 20 viteve në mungesë. Gjatë fushatës se vitit 2001, kur Çim Peka punonte me mua dhe ishte në fushatë, dikush i kërkoi drejtuesve të fushatës tonë (nuk po jap emra) një vizë.

Drejtuesit e fushatës tonë i thanë dikujt në Tiranë. Unë i dërgova pasaportën të cilën ata e humbën. Unë punoja te Gazeta 55 dhe nuk më tha njeri që jam në gjyq. Pas disa vitesh kur isha te gazeta Tema (PD ishte në pushtet dhe nuk i kërkova kujt favor të më jepte një pune si shumë përfitues) më thotë policia se ka një dënim ndaj meje.

U interesova dhe u habita që ndërsa isha gazetar prej gati 8 vitesh publikisht, qenkësha dënuar në mungesë. Fitova të drejtën e Apelit duke e rikthyer në Apel. Gjykata e Lartë e pezulloi dhe më pas mora pafajësinë. Ndërkohë me herët ajo edhe u amnistua. Kaq është kjo çështje. Këta merren me vendimin në mungesë. Le të shohin vendimin e Apelit që më dha të drejtë ta apeloj dhe vendimin e Gjykatës së Lartë.

Vetëm për mashtrim nga ana ime nuk flet vendimi i pafajësisë. Në shkallë të Parë kanë thënë ç’kanë dashur dhe këta miqtë tanë ua hedhin njerëzve si trofe kundër meje. Unë nuk ia kam frikën asgjëje sepse nuk kam vjedhur, nuk kam vrarë, nuk kam marrë prona, nuk kam bërë korrupsion.

Unë  qesh me këto luftëra pa moral. Nuk kam dashur të flas për moralin dhe bëmat e të tjerëve, nuk e kam në natyrë, dua vetëm një debat të arsyeshëm dhe etik, por po na shtyjnë atje ku nuk duam. Po na tregojnë PD-ne dhe të djathtët, ish-komunistët, të korruptuarit”.