Avokati i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Maksim Haxhia ka reaguar me tone të ashpra pasi klienti i tij u dënua me 3 vite e 4 muaj burg.
Ai e cilësoi këtë vendim skandaloz dhe për të kënaqur, por pa etiketuar se kë.
“Ishte një vendim skandaloz. Në këtë vend dy gjëra dihen që janë të sigurta. Lindja dhe vdekja, të tjerat nuk dihen. Nëse vendimi i Saimir Tahirit do të kënaqë dhe përmbushë atë shqetësim që kishte opinioni shqiptar, le të quhet i përmbushur”, tha Haxhiaj.
Maks Haxhia u shpreh se ky ishte një vendim për të njollosur figurën e Tahirit, ndërsa theksoi se vendimi ishte skandaloz dhe se nuk e prisnin një gjë të tillë, duke shtuar se i është hequr vendimi i nenit 59 pa justifikim.
“Ishte non sens juridik që të hiqej pezullimi. Nuk e dimë si do ta justifikojë gjykata një vendim të tillë ku hiqet pezullimi. Paramendimi në këtë vendim ka të bëjë me faktin që pavarësisht se ne na bën optimist është se gjykata dhe ata që iniciuan këtë proces, realizuan njollosjen e Tahirit duke hequr nenin 59,
Duke parë këtë vendim të pajustifikuar, i ka të gjitha përgjigjet brenda. Ai ishte i qetë, sot Tahiri i kishte të gjitha mundësitë që të mos vinte. Pati edhe njerëz që i thoshin mos u paraqit, por ai tha se do të jetë në dispozicion të drejtësisë. Për rekursin presim vendimin e arsyetuar. Tahiri e priti vendimin qetësisht. Ne sot prisnim pafajësi totale”.
Në fund, Maks Haxhia ka dhënë dhe një mesazh me kod. “Nëse kjo është reforma që të luftohet korrupsioni duke futur në burg Tahirin unë mund të them që të gjithë pushtetarët duhet të vishen trashë në kohe dimri”, u shpreh Haxhia.
Avokati zbuloi edhe se çfarë i ka thënë Tahiri pas dënimit.
“E vetmja porosi ishte që të më qetësonte mua sepse më pa që isha tepër i tronditur”, tha Haxhia.
Sipas vendimit, Saimir Tahiri duhet që ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.